| Pen Qendra e Kosoves - Kosova PEN Center Eshte faqja e shkrimtareve te Kosoves. Albanur sponzoron dy vjet ne internet Pen Qendren e Kosoves. |
 |
Tribuna: Situata mediale nė Kosovė |
 |

11-23-2006, 04:35 PM
|
 |
Administrator
|
|
Data Anėtarėsimit: Feb 2006
Postimet: 0
|
|
Tribuna: Situata mediale nė Kosovė
PEN Qendra e Kosovës organizon tribunë me temë:
Situata mediale ne Kosovë
Mbahet në Bibliotekën Kombëtare më 4. shkurt 2005, e premte, ora 12
Tezat:
1. Dimensioni lokal dhe global apo kufijtë realë virtual në media
2. Media private (komerciale) apo publike
3. Konkurencë dhe treg liberal apo monopol medial
4. A është media e lirë sinonim i demokracisë?
5. Media ndërmjet biznesit dhe misionit
6. A ekziston liria e shprehjes dhe e mendimit në mediat e Kosovës
7. Temat tabu: prodhim i gazetarëve, i pronarëve apo i qendrave të forcës dhe i grupeve të interesit
8. Dimensioni informativ dhe kulturor në mediat e Kosovës
9 Pasojat e mungesës së infrastrukturës ligjore në fushën e mediave
Fjalët hyrëse: Rrahman Paçarrizi dhe Arbër Vllahiu
Moderon: Avni Spahiu
Jeni të lutur të merrni pjesë me kontributin tuaj!
Basri Çapriqi
Kryetar
PEN Qendra e Kosovës
Last edited by admin : 11-23-2006 at 04:39 PM.
|
 |
 |
Tribuna: Situata mediale nė Kosovė |
 |

11-23-2006, 04:38 PM
|
 |
Administrator
|
|
Data Anėtarėsimit: Feb 2006
Postimet: 0
|
|
Tribuna: Situata mediale nė Kosovė
Tribuna: Situata mediale në Kosovë
Fjala hyrëse: ARBËR VLLAHIU
Për ta paraqitur në rrafshin real atë që sot quhet sistem i informimit publik në Kosovë, do të duhej vecuar aspekte të ndryshme dhe më saktësisht do të duhej përcaktuar se cka në fakt nënkupton ky sistem?
Realisht shikuar sistemi i ri i informimit në Kosovë është krijuar mbi bazën e një vullneti të përzier ndërkombëtar dhe vendor dhe mbi të gjitha mbi një sistem, rrënjët e të cilit kanë kohë që kanë kaluar. Gazetaria nuk është më veprimtari e punëtorëve shoqëroro-politik dhe as që mjetet elektronike dhe ato të shkruara janë mjete për edukimin e masave të gjëra popullore. Mediat e sotme në Kosovë megjithatë ende ndodhen ndërmjet asaj që quhet tradicionalizëm dhe koncept modern i gazetarisë, ndërmjet vazhdimësisë dhe shkëputjes e rinisjes së një modeli tjetër gazetar dhe në luftën që dikur është quajtur luftë brezash ose gjeneratash. Kjo e fundit sot megjithatë do të duhej të cilësohej si përplasje ideshë dhe përpjekje për t’i ikur vendnumërimit në gazetari. Në kohën kur në Kosovë vazhdojnë të dalin gazeta dhe të lulëzojnë dhjetëra televizione e radiostacione, disa me frekuenca kombëtare dhe të tjerat me ato vendore, shtrohet për diskutim një tjetër cështje, sa në të vërtetë ato janë të afta të kryejnë misionin primar të tyre, atë informimit. Dhe këtu sistemi i informimit, konceptualisht, shkapërderdhet. Mediat dhe gjendja mediale në Kosovë sot janë në krizën e tyre fillestare, ashtu sikur në të gjitha vendet e tranzicionit, në krizën e krijimit të identitetit të tyre dhe përcaktimit të rolit të cilin duhet ta luajnë. Fakti se Kosova ka dalë gjashtë vjet më parë nga lufta dhe fakti se janë ndërkombëtarët ata që kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e televizionit të parë publik këtu, e përforcon edhe më shumë bindjen se mediat kosovare, të tilla si janë sot, gjenden ndërmjet një gjysmëprofesionalizmi dhe amatorizmi të plotë.
Kur flasim për vullnetin ndërkombëtar, duhet vecuar faktin e eksperimentimit me gazetarinë e këtushme, pak moderne dhe më shumë tradicionale. Paramendojeni një 17 mars tjetër, por tani në aspektin medial. Mund ta imagjinojë pamjen e televizoneve që nuk do të trajtojnë aspak ngjarjen dhe do të japin fotografi të gjetheve dhe beharit që po lulëzon në degët e pemëve. Kjo mbase do të jetë karikatura më e vrazhdë e gjendjes aktuale të mediave në Kosovë. Gjendje kjo e krijuar për shkak të profesionalizmit të dobët ose si do ta quanin në departamentin për media të OSBE-së në Vjenë, “një gjendje e menaxhimi të dobët”. Liria e të shprehurit është amandamenti kryesor në kushtetutat e vendeve perëndimore dhe kjo shprehimisht do të duhej të ishte edhe për Kosovën, megjithë faktin se një gjë e tillë ka filluar të vihet në pazar. Vullneti ndërkombëtar ka patur shumëcka me joprofezionalizmin e mediave në Kosovë, madje duke e shfrytëzuar 17 marsin, si një mjet përforcues të ndëshkimit medial. Por, shikuar realisht. Gazetaria në botë ka arritur të funksionojë në një formë krejtësisht tjetër, duke e paraqitur p.sh. luftën në Irak si pjesë “të një filmi shtatëorësh ditor” dhe duke u futur thellë në atë që quhet gazetari hulumtuese. Mirëpo, mediat më të mëdha botërore kanë filluar të rishikojnë dhe rivlerësojnë qëndrimet, raportimet, objektivitetin, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tyre kundruall luftës në Irak. Një nga mediat më të mëdha botërore ka pranuar pjesë të fajësisë në periudhën e paraluftës në Irak, për vetëm një fakt, të përdorimit të gjuhës së gabuar në njërin, po e përsëris në vetëm njërin nga raportimet e tij ditore. Por, ajo që e ka shndërruar atë në shembullin e profesionalizmit është pranimi i gabimit. Shumëherë joprofesionalizmi shndërrohet në kokëfortësi pavarësisht qëllimit të mirë në raportim. Dhe kur themi liria e të shprehurit mendojmë në atë që heq cenzurën. Sa janë mediat e sotme në Kosovë të lira? Mund të shtrohet mbase edhe kështu pyetja. Liria nuk është vetëm ajo që përcaktohet nga raportimet e organizatave joqeveritare ndërkombëtare, por edhe nga vetë mediat dhe punëtorët e tyre. Në ditët e fundit, njerëz të vullnetit të mirë kanë shtuar një dilemë se a mos është pacifizuar Kosova, në kuptimin se këtu nuk ekzistojnë organizata joqeveritare që merren me të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha nuk ekziston një shoqëri civile. Sa janë pacifizuar mediat në Kosovë dhe sa janë bërë ato të dëgjueshme?
Kërkimi i një moduli të caktuar të gazetarisë në Kosovë, përmes një kontrolli sa financiar aq edhe politik ka krijuar një zbrazëtirë në sistemin e informimit duke e vënë gazetarin në pozitën e raportuesit protokolar dhe mbi të gjitha konformist. Kjo mbase për faktin se cdo raportim tjetër do të mund të shkaktonte telashe në raport me regullatorin e mediave ose me grupin e caktuar të interesit. Pse rregullator dhe pse ligje për gazetarinë në Kosovë. Dy janë arsyet: E para sepse gjendja aktuale në Kosovë kërkon një kujdes më të madh dhe siguri dhe e dyta, sepse në Kosovë as sot e kësaj dite nuk ekziston një Kod i Mirësjelljes për mediat elektronike dhe ato të shkruara në Kosovë që do ishte themel i një sistemi të vetërregullimit të etikës gazetareske. Kodi i Mirësjelljes nënkupton se media duhet të mbrojë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes duke vendosur limitet e veta. Mbi të gjitha nëse mediat përpiqen që të vënë rregull për vetveten atëherë rreziku për intervenim ligjor do të zvogëlohet. Ta marr shembull Suedinë. Ky shtet ka një Obudsman të shtypit që e mbron opinionin nga keqtrajtimet që mund t’i bëjë media elektronike ose ajo e shkruar. Kur e përmenda cenzurën më lejoni që ta elaboroj pak. Cenzura në mediat kosovare më shumë është autocenzurë, frikë nga vetëvetja dhe dënimet që Komisioneri i Përkohshëm i Mediave mund të bëjë. Dënime që megjithatë, u pa se mund të shndërrohen në marrëveshje, dikush do ta quante xhentëlmene, për vetë faktin se për herë të parë instalohet një traditë e re në median kosovare, ajo e trajnimeve. Pra nga tradicionalja, e gjithdijshmes, kalojmë në dicka që mund të jetë produktive dhe njerëzore.
Gazetaria në Kosovë sot është protokolare, e zyrave dhe shablloneve të pathyeshme, gazetari pa invencion dhe me shumë të njohura. Ajo është shndërruar si e tillë për faktin se hulumtimi si nocion gazetaresk është zhdukur dhe stërkequr, pak nga droja dhe më shumë nga presioni. Opinioni në Kosovë është shumë pak i njohur me atë që e rrethon, dhe i privuar nga e drejta të lexojë, dëgjojë apo shikojë për dicka që rrëshqitazi është theksuar diku dhe që duhet të shlyhet sa më shpejtë të jetë e mundur. Në perëndim, bazuar në standardet e përcaktuara për gazetarinë, hulumtimi është pjesa më e vlefshme e gazetarisë që e nxitë reagimin e opinionit qoftë për të mirë ose për të keq. Në Londër p.sh. ndiqet deri në fund rrëfimi për gruan e kryeministrit britanik që blenë banesa për të bijtë duke bërë pazar përmes një agjenti të kompanisë së patundshmërive, e i cili është i ndjekur nga shteti për vepra të mashtrimeve. Dhe këtu nuk përfundon rrëfimi. Opinioni kërkon shumë fakte dhe shumë informacion. Tabutë krijohen në shoqëritë që funksionojnë të mbyllura dhe nga frika e ndjekjes së një zhvillimi deri në fund. Këtu vijmë tek organizimi i shoqërisë së gazetarëve. A ka Kosova sot shoqata, ose asociacione të gazetarëve që luajnë rol në funksion të tyre? Cili është roli i tyre sot në shoqërinë kosovare dhe pse ky mosrespekt për gazetarinë në Kosovë? Shumë pyetje pak përgjigje, por megjithatë, thelbi i problemit qëndron në vetë organizimin gazetaresk. Nëse duhet zbërthyer rolin parësor të këtyre asociacioneve do të vecoja një prej të gjithave: mbrojtjen dhe forcimin e të drejtave të gazetarëve. Nëse pyetjes se a janë pacifizuar mediat në Kosovë ia shtojmë edhe pyetjen se a mund të mbijetojnë ato në kushtet në të cilat veprojnë, do të kuptojmë se problemi është edhe më i madh. Shumëkush e kupton se konkurenca sjell cilësi, por në Kosovë, ajo ka krijuar sasi dhe asesi vlera që zbërthyer me gjuhën e gazetarisë profesioniste do të thotë besueshmëri, objektivitet, paanshmëri.
Arbër Vllahiu
Last edited by admin : 11-23-2006 at 04:53 PM.
|
 |
 |
|
 |

11-23-2006, 04:47 PM
|
 |
Administrator
|
|
Data Anėtarėsimit: Feb 2006
Postimet: 0
|
|
Fjala hyrëse: Rrahman Paçarizi
Thënë me gjuhën e politikës ditore, standardi për mediat nuk është prioritar dhe sigurisht që në të parë nuk është përcaktues për të ardhmen e Kosovës. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse ky është standardi më së paku i përmbushur deri më tash, sipas disa hulumtimeve. Por, situata mediale në Kosovë, në të vërtetë, nuk i përgjigjet nevojës së qytetarëve të Kosovës për të pasur media profesionale, objektive dhe në funksion të qytetarit si audiencë. Kur kësaj i shtohen paqartësitë lidhur me projektligjin e miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës për Komisionin e Pavarur për Mediat, atëherë mediat, edhe ashtu të brishta, ndihen edhe më të ngulfatura. Qytetari që sillet ndërmjet dyshimeve ndaj objektivitetin e medias dhe besimit të plotë në atë që shkruhet e thuhet, ndihet tani i rrezikuar për faktin se politika mund ta privojë qytetarin nga ajo pak transparencë që kanë mundur t'i ofrojnë atij mediumet vendore.
Duke eskivuar problemin e legjislacionit që duke synuar vënien e rregullit në skenën mediale edhe mund ta rrezikojë atë, duhet thënë se mediat në Kosovë edhe gjashtë vjet pas luftës sillen në cikle problematike të gjetjes së vetvetes. Televizionet janë në ekspansion, që është një karakteristikë për shoqëritë e pazhvilluara që konsumojnë informacionet në mënyrën më të lehtë të mundshme. Radiot janë në kërkim dëshpërues të vendit të tyre në mesin e formave të komunikimit masiv, ndërsa gazetat në kërkim të formatit teknik dhe matjes e shmatjes për t'i hyrë gazetarisë hulumtuese, që ka mbetur forma e vetme për të mbetur gjallë në skenën e dendur të medias së shtypur.
Të gjitha këto kanë të bëjnë me mungesën e formatit të mediave, sërish një problem i përbashkët i vendeve në tranzicion që synojnë daljen nga koncepti i monopol-mediave të komunizmit, formati i të cilave ka qenë i kushtëzuar nga fakti që mediumet kanë qenë shtetërore ose partiake dhe është dashur të ofrojnë gjithçka, në mungesë të mediave alternative. Tani, duke e konsideruar formatin ekuivalent për konceptimin e mediumeve, mund të thuhet se pothuajse asnjë nga mediumet, përjashtuar revistat argëtuese, nuk ka ndërtuar një format të qartë. Të trija televizionet kryesore, dhjetëra televizione lokale dhe qindra radiot e Kosovës varësisht nga nevojat dhe mundësitë e tyre sillen nga formati informativ e deri te formati argëtues. Një kohë KTV-ja ka bërë përpjekje për të ndërtuar një format argëtues, më shumë duke iu falënderuar supremacisë që ka treguar redaksia e sportit dhe fryma alternative që ka mbizotëruar në këtë televizion, mirëpo zhvillimet e tjera kanë bërë që kjo frymë të zbehet dhe edhe ky medium të zhytet në uniformitetin e televizioneve të tjera. RTK-ja, e nisur si medium me format informativ me program informativ dhe informues, duke shfrytëzuar kapacitetet njerëzore dhe para së gjithash materiale ka mbuluar të gjitha profilet, duke u shtrirë edhe në programe arsimore, programe muzikore dhe në blloqe të tëra sportive, ndërkohë që Radiotelevizioni 21 krahas formatit informativ, sipas disa hulumtimeve ka arritur një audiencë të lakmueshme duke zhvilluar një sistem transmetimi të telenovelave latinoamerikane.
E përbashkëta e të trija televizioneve është mungesa e programit origjinal, apo të themi prodhimit vetanak. Arsyet për këtë mund të jenë edhe të qëndrueshme, si mungesa e ofertës kreative nga ata që janë jashtë televizionit, apo çmimi i prodhimit vendor.
Përpjekjet e televizioneve për të siguruar anën materiale ndonjëherë janë jo vetëm të tepërta por edhe pa takt e pa shije. Emetimi i reklamave për heqjen e qimeve apo te puçrrave në kohë dreke apo darke është një gjë e neveritshme.
Paraqitja e momenteve të tilla të pashije është rezultat i mungesës së monitorimeve që mediat në botë i bëjnë për interesat e brendshme. Mediumet në Kosovë audiencën e tyre e masin në bazë të telefonatave apo të letrave që u vijnë në redaksitë e tyre. Mediumet duhet të bëjnë monitorime, të cilat nuk publikohen, por përdoren për orientimet dhe strategjitë e veta programore. Monitorimi do ta ngriste shkallën e besueshmërisë dhe audiencën e mediave dhe njëkohësisht do ta ndihmonte profilizimin e formatit të medias. Mediat serioze më shumë u besojnë monitorimeve vetanake sesa atyre që bëjnë grupet e ndryshme për nevoja të të tjerëve, pasi është në ineteresin e vetë mediumeve që monitorimi të jetë më objektiv.
Mirëpo, rrethanat në Kosovë ende nuk e lejojnë këtë, pasi një pjesë e mediave përveç formatit, të paqartë e kanë edhe statusin e tyre. Te qenit medium publik, përveç favoreve ka në vete probleme të shumta, pasi mediumi i tillë siç po shkojnë gjërat në Kosovë do të detyrohet t'u nënshtrohet apo së paku t'i përfillë kërkesat e institucioneve, aq më tepër duke pasur parasysh që ligji për komisionin e pavarur për media ofron shumë mundësi që në përbërjen e tij të ketë njerëz, lidhja e vetme e të cilëve me televizionin apo me gazetarinë në tërësi mund të jetë fakti që kur kanë pasur kohë edhe mund ta kenë shikuar televizorin apo ta kenë shfletuar së prapthi ndonjë gazetë. Kërkesat e tyre ndaj një mediumi publik mund të jenë të rrezikshme. E mira është që mediat private të mos preken nga kjo, apo më mirë, shoqëria civile duhet të aktivizohet që të mos ndodh kjo.
Mekanizmi më i mirë mbrojtës për mediat private, të cilat sigurisht në një të ardhme të afërt do ta kenë rolin kryesor, është profesionalizmi dhe kryerja e misionit. E ardhmja e mediave në Kosovë qëndron në mediat komerciale, pasi media publike pos që do të jetë në njëfarë forme e kontrolluar nga shteti dhe si e tillë nuk do të ketë mundësi të jetë transparente, pra as e lakmueshme për t'u shikuar, dëgjuar apo lexuar. Në anën tjetër, statusi publik do ta detyrojë median e tillë të jetë «e të gjithëve». Një funksion i tillë, në vetvete është socialist dhe tejkaluar. Mediat private, që funksionalisht janë komerciale (kjo «komerciale» nuk është term përçmues, por është emërtim i njërës nga punët që bëjnë njerëzit dhe në botën moderne është një punë shumë e çmuar) do ta kërkojnë vetveten brenda interesit të audiencës së tyre dhe nëse sillen sipas atyre kërkesave atëherë do të marrin rol udhëheqës.
Unë nuk shoh ndonjë të keqe në mediat komeraciale, përkundrazi, nëse një medium e kupton që duke qenë profesionist fiton besueshmëri e me këtë edhe reklama që sjellin përfitime, ky është një tregues i mirë. Hapësira e marketingut në gazeta apo televizione për mua (pos shkathtësisë së sektorit të marketingut) është edhe shenjë e audiencës së gjerë dhe besueshmërisë së një mediumi.
Gjithë historia mediale në botë ka dëshmuar se profesionalizmi, objektiviteti dhe paanshmëria tërheqin audiencë të madhe, prandaj këto mediume do të detyrohen të jenë profesionale. Kjo, me ritmin e tashëm sigurisht se do të marrë shumë kohë. Rruga më e shkurtër natyrisht është një rrugë që në të parë duket se kushton më shtrenjtë dhe mediumet në këtë pikë janë shumë të ndieshme. Mirëpo, aftësimi i gazetarëve për fusha të caktuara dhe profilizimi i tyre do të ndihmonte shumë. Mediat në Kosovë deri më tash janë mbështetur kryesisht në kurset e aftësimit që kanë sponsoruar organizatat e huaja që veprojnë këtu dhe vetë ata i kanë përcaktuar edhe programet e trajnimin. Kjo, përfundimisht nuk është ajo që u duhet mediave në Kosovë. Mediat në Kosovë me sa di unë nuk kanë shpenzuar asnjë cent ose kanë shpenzuar shumë pak në kurse aftësimi për gazetarët. Të shkosh në kurs aftësimi nuk është turp dhe të gjithë gazetarët kanë nevojë për aftësim të mëtejshëm. Mungesa e këtij aspekti bën që gazetarët në mediat e Kosovës të mos e kuptojnë dallimin ndërmjet termave «i dyshuar» dhe «i akuzuar» dhe t'i përdorin njërin në vend të tjetrit, apo bëjnë gabime drastike materiale në interpretimin e akuzave. Në botë gabimet e tilla sanksionohen tepër rëndë.
Kur jemi te sanksionimi vijmë te organet që mund të sanksionojnë gabimet materiale. Në disa vende, si në ato skandinave ekzistojnë gjyqet e nderit. Shqiptimi i një vërjetjeje për gazetarët nga këto gjyqe është vdekje profesionale për gazetarët e rrjedhimisht edhe për median. Gjyqet e rregullta e bëjnë punën e tyre për njollosjen e personalitetit, qoftë edhe nëse e quan të akuzuar personin që është vetëm i dyshuar.
Kjo ndodh edhe për shkakun se mediat kryesisht nuk e respektojnë mekanizmin e konkursit. Dihet se gazetari duhet të ketë një dije të përgjithshme, e cila mund të testohet me rastin e pranimit në punë të gazetarit. Në anën tjetër, kur shkollat e gazetarisë ende janë në fazën e tyre provuese dhe nuk kanë arritur të prodhojnë kuadro mjaft cilësore dhe të përgatitura për t'u marrë direkt me gazetari, mediat duhet të punojnë për profilizimin e gazetarëve, sidomos të të rinjve, duke i bërë ata në njëfarë mase njohës të problematikës me të cilën merren.
Në anën tjetër, mediat duhet të kenë një bashkëpunim apo së paku një komunikim me institucionet arsimore të vendit. Unë asnjëherë nuk kam dëgjuar që dikush nga udhëheqësit e mediave të ketë kërkuar nga gazetari ndonjë referencë nga ndonjë profesor në fakultetin që e ka kryer kandidati. Çështja se sa gazetarë kanë kryer fakultetin është një çështje më vete për të cilën nuk ka nevojë të flitet shumë, pasi flasin vetë shkarjet e rënda që bëhen përditë në media. Një ekonomist i diplomuar mund të merret me privatizimin shumë më profesionalisht sesa unë për shembull, që nuk kam ndonjë bagazh të dijes nga kjo fushë, e kështu me radhë. Mirëpo, për të punësuar një folës apo moderator emisionesh në radio e në televizion, mendoj që patjetër duhen konsultuar ekspertët e fonetikës.
Kjo mungesë ka bërë që në mediat elektronike të Kosovës të mos ekzistojë një model vokal që do të ishte identifikues, në bazë të të cilit do të mund të dihej se bëhet fjalë për një medium të Kosovës në gjuhën shqipe. Modeli vokal është një kriter që respektohet në mediumet më të fuqishme të botës dhe si shembull po e përmend faktin se modeli i orthoepisë së televizionit BBC po ngritet në model drejtshqiptimor të anglishtes standarde. Kjo do të thotë shumë.
Në anën tjetër, aspekti praktik i realizimit të gazetarisë përballet me problemet e lirisë së shprehjes dhe tabuizimit të temave. Mungesa e lirisë së shprehjes është e lidhur ngushtë vetëm me njërin nga aspektet e tabuzimit të temave dhe arsye e mungesës së gazetarisë hulumtuese. Forcimi i grupeve ekonomike që domosdo është i lidhur edhe me grupet politike si formacione të interesit pengon punën e gazetarit, sidomos në kushtet kur nuk ka një presion publik mbi politikën që do të mbronte gazetarët si furnizues të shoqërisë me informacione. Funksioni i medias për të detyruar institucionet të jenë sa më transparente nuk mund të realizohet përderisa shoqëria civile nuk udhëheq presionin mbi formacionet politike dhe ato ekonomike dhe përderi sa nuk ka një mekanizëm që do të mbronte gazetarët. Shoqatat ekzistuese të gazetarëve në Kosovë e kanë dënuar me një komunikatë të vetme plagosjen e gazetares Fatmire Tërdevci vitin e kaluar.
Mirëpo, tabuizimi nuk është vetëm pasojë e frikës së gazetarëve nga grupet e interesit dhe të frocës, por edhe pasojë e mentalitetit mbizotërues në Kosovë, ku shumëçka është e lidhur me institucionin e familjes që është tepër i ndieshëm dhe vetëfrenues.
Last edited by admin : 11-23-2006 at 04:53 PM.
|
 |
 |
bb |
 |

09-15-2009, 10:29 AM
|
|
Member
|
|
Data Anėtarėsimit: Aug 2009
Postimet: 15
|
|
bb
|
 |
pp |
 |

09-18-2009, 01:41 AM
|
|
Junior Member
|
|
Data Anėtarėsimit: Sep 2009
Postimet: 11
|
|
pp
|
 |
tt |
 |

09-21-2009, 10:17 AM
|
|
Junior Member
|
|
Data Anėtarėsimit: Sep 2009
Postimet: 11
|
|
tt
|
 |
ss |
 |

09-25-2009, 12:57 PM
|
|
Member
|
|
Data Anėtarėsimit: Sep 2009
Postimet: 37
|
|
ss
|
| Thread Tools |
|
|
| Display Modes |
Linear Mode
|
Rregullat e Postimit
|
Ju nuk mund tė postoni tema tė reja
Jy nuk mund postoni pėrgjigje
Ju nuk mund tė postoni attachmente
Ju nuk mund tė ndryshoni postimet e juaja
Kodi HTML Mbyllur
|
|
|
|
Krejt orėt janė nė GMT. Ora tash ėshtė 04:12 PM. |
|
|
|